Kategoria Superiore U-15 në fazën finale, përcaktohen dy çiftet gjysmëfinaliste - FSHF

Kategoria Superiore U-15 në fazën finale, përcaktohen dy çiftet gjysmëfinaliste

Kampionati kombëtar i Kategorisë Superiore për grupmoshën nën 15 vjeҫ, i cili luan sezonin e dytë në histori, pasi ka përmbyllur me sukses fazën e grupeve dhe ka përcaktuar 8 skuadrat që siguruan play-off, ka luajtur këtë fundjavë ndeshjet ҫerekfinale të cilat janë zhvilluar me sistem grumbullimi, me një ndeshje të vetme ku secila skuadër pas barazimit shkon menjëherë te penalltitë.

Vllaznia-Apolonia dhe Tirana-Skëndërbeu ishin dy ҫiftet e para që zbritën në fushën e lojës. Skuadrat vinin në këto ndeshje pas një sezoni të gjatë dhe pozitiv, dhe vetëm dy prej tyre do të arrinin të shkonin më tej. Shkodranët triumfuan përballë fierakëve me rezultatin 3-1. Në dukje një fitore e thjeshtë por shumë e vuajtur për Vllazninë që e nisi ndeshjen në avantazh në minutën e 4-të falë autogolit të Ҫepeles. Apolonia reagon dhe gjen golin e barazimit me Beqirajn në të 35-tën, duke i ҫuar skuadrat në pushim me barazimin 1-1. Ashtu si edhe në fraksionin e parë të lojës, Vllaznia në minutën e katërt të pjesës së dytë kalon në avantazh me Kubazin. Vazhdon insistimi i kuqebluve që gjejnë dhe golin e sigurisë që vulosi rezultatin 3-1 me Qokthin në të 63-tën. Vllaznia do të gjejë në gjysmëfinale Tiranën, e cila luajti ndeshjen një ҫerekfinale shumë të luftuar me Skëndërbeun. Fraksioni i parë i ndeshjes u mbyll në barazim 0-0, pavarsisht rasteve për shënim në të dy portat respektive. Në pjesës e dytë, në minutën e 55-të, Tirana shënonin golin e vetëm të ndeshjes me anë të Allmuҫës. 10 minuta më pas ndeshja ndizet dhe Zaҫellari e Roshi ndëshkohet me kartona të kuq për sjellje anti-sportive. Asgjë nuk ndryshon deri në fundin dhe Tirana kalon më tej.

Dy ndeshjet e tjera gjysmëfinale ishin ato ndërmjet Internacionalit dhe Pepës si dhe Shënkolli-Teuta. Fituesit në fuqi të këtij kampionati, Internacionali, mundën me rezultatin e pastër 2-0 Shoqatën e Futbollit Pepa. Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë me të dy skuadrat që kërkonin të studionin njëra-tjetrën dhe duke mos dashur të rrezikojnë. Fraksioni i dytë i gjen skuadrat më sulmuese dhe Internacionali kalon në avantazh në minutën e 60-të me Muҫën që shndërron në gol një penallti të fituar një minutë më parë nga vetë ai. Pas 6 minutash vjen dhe goli i dytë që vulos fitoren 2-0, i shënuar nga Bode. Fituesit e edicionit të parë kalojnë më tej dhe në gjysmëfinale gjejnë Teutën që në ҫerekfinale mundi Shënkollin me rezultatin e ngushtë 1-0. Një ndeshje shumë e luftuar nga të dy skuadrat që kishin zbritur në fushën e lojës me objektivin e kalimit më tej, por suksesi i ka takuar durrsakëve falë golit të Mecas në minutën e 24, i cili rezultoi dhe goli i vetëm i ndeshjes.

Ҫiftet gjysmëfinaliste:

Vllaznia – Tirana

Internacional – Teuta

× WhatsApp