Kategoria Superiore U-13/ Përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste - FSHF

Kategoria Superiore U-13/ Përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste

Janë zhvilluar këtë fundjavë ndeshjet e fazës çerekfinale të kampionatit të Kategorisë Superiore U-13, ku u përcaktuan edhe ekipet dhe çiftet gjysmëfinaliste për këtë edicion futbollistik.

Ndeshjet e zhvilluara në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe në kompleksin “Internacional” në Pezë prodhuan mjaft emocione dhe garë për fëmijët e grupmoshës nën 13 vjeç.

Partizani – Football Republic dhe Vllaznia – Skënderbeu ishin dy ndeshjet e para çerekfinale që u zhvilluan në të njëjtën orë.

Në derbin kryeqytetas, mes Partizanit dhe Football Republic ishin këta të fundit ata që kaluan në fazën tjetër, pas një fitoreje 0-2 kundrejt të kuqve. Sotiri kalon në avantazh që në minutën e tetë të takimit ekipin e Football Republic, me skuadrën që ruajti epërsinë gjatë gjithë lojës. Në minutën e 60-të, Shega dyfishon dhe vulos rezultatin në 0-2.

Në sfidën tjetër të orës 10:00, të zhvilluan në kompleksin “Internacional”, mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, korçarët prenë biletën për në gjysmëfinale. Ndeshja u mbyll me rezultatin 1-1, me një ekipet që zhvilluan lojë të barabartë gjatë gjithë kohës. Një pjesë e parë me raste, por pa gola të shënuar. Në pjesën e dytë, ishin korçarët ata që kaluan të parët në avantazh, me Shkëmbin i cili shënon një gol të bukur. Shkodranët tentuan të kundërpërgjigjen me disa raste të krijuara, derisa në minutën e 68-të, përmes penalltisë së shënuar saktë nga Fusha, barazojnë rezultatin në 1-1.
Koha e rregullt mbyllet me këtë rezultat, ndërsa në gjysmëfinale kualifikohet Skënderbeu, duke qenë se në klasifikimin final të kampionatit, renditet më lart se Vllaznia.

Mes FC Internacional dhe Teutës, në fazën tjetër kualifikohen kryeqytetasit, pas një triplete të Hykës në minutat 22’, 25’ dhe 28’. Një ndeshje mjaft e mirë e zhvilluar nga djemtë e Internacionalit, të cilët ishin dominantë në lojë. 3-0 u mbyll kjo sfidë, me Internacionalin që kalon në gjysmëfinale.

Ekipi i katërt gjysmëfinalist është Brians, që fitoi ndaj Apollos me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Ajazi, i cili kaloi në epërsi skuadrën që në minutën e 41-të ndërsa dy minuta më vonë Lleshaj dyfishoi rezultatin, që nuk ndryshoi edhe për minutat e tjera të mbetura të lojës.

Çiftet gjysmëfinaliste të këtij edicioni për kampionatin e Kategorisë Superiore U-13:

Internacional – Football Republic
Skënderbeu – Brians