Europiani i moshës U-19/ Shqipëria zhvillon ndeshjen e parë me Francën - FSHF

Europiani i moshës U-19/ Shqipëria zhvillon ndeshjen e parë me Francën

Shqipëria U-19 ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e parë kualifikuese kundër Francës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022.

Kjo ndeshje u luajt në stadiumin “Egnatia” në Rrogozhinë dhe u mbyll me rezultatin 4-0 në favor të gjelave nën 19 vjeçarë.

Në këtë sfidë, trajneri Cungu aktivizoi që nga minuta e parë këto lojtarë: Dervishi, Bytyqi, Preka, Zalli, Pjeshka, Nerguti, Toci (c), Mata, Simoni, Alivoda, Shpendi.

Skuadra e Cungut e nisi mirë sfidën, teksa që në minutat e para krijoi raste dhe arriti të realizojë edhe një gol në minutën e 14-të me Matën, që u anullua për shkak se më parë topi kishte dalë jashtë vijës së bardhë. Kuqezinjtë tentuan të afrohen sërish në zonën kundërshtare, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Në minutën e 28-të, francezët shënuan golin e parë me Virginus, teksa 7 minuta më vonë, Abline do të dyfishonte shifrat për gjelat. Pak minuta para përfundimit të fraksionit të parë, Franca shënon edhe golin e tretë sërish me Abline.

Me nisjen e pjesës së dytë të lojës, Cungu bën dy ndryshime në formacion, me Pjeshkën që del nga loja dhe në vend të tij futet Hysaj dhe me Stiven Shpendin që zë vendin e Cristian Shpendit. Loja nis vrullshëm për kuqezinjtë të cilët tentojnë të gjejnë një gol për të rihapur sërish sfidën. Në minutën e 58-të Cungu do të hidhte në fushë Zenelajn në vend të Alivodës, teksa 6 minuta pas këtij zëvendësimi, Shqipëria do të pësonte edhe golin e katërt, që vulosi edhe rezultatin e sfidës.

Kjo ishte ndeshja e parë e Shqipërisë U-19 në këtë eliminatore, teksa tre ditë më vonë do të luajë kundër Serbisë në Elbasan Arena, ndërsa me 16 nëntor do të zhvillojë ndeshjen e tretë dhe të fundit kundër Maqedonisë së Veriut.