Asambleja e FSHF-së, Boniek: I mahnitur nga zhvillimi i futbollit shqiptar. Përfaqësuesi i FIFA-s: Vazhdoni kështu, keni mbështetjen tonë! - FSHF

Asambleja e FSHF-së, Boniek: I mahnitur nga zhvillimi i futbollit shqiptar. Përfaqësuesi i FIFA-s: Vazhdoni kështu, keni mbështetjen tonë!

Është mbledhur këtë të martë Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme Zgjedhore e FSHF, që zhvilloi zgjedhjet për President dhe anëtarë për Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së për katër vitet e ardhshme. Përveç anëtarëve dhe delegatëve, në këtë Asamble morën pjesë edhe delegacione nga UEFA dhe FIFA, si edhe personalitete të tjera të futbollit europian.

Nga UEFA, të pranishëm në punimet e Asamblesë ishin anëtari i Komiteti Ekzekutiv, Zbignieë Boniek njëkohësisht edhe një nga zv.Presidentët e UEFA-s, si edhe dy zyrtarët, Thierry Favre dhe Luca Nicola. Ndërsa FIFA ishte e përfaqësuar në këtë Asamble nga dy zyrtarët e lartë, Nodar Akhalkatsi dhe Sofia Malizia

Nuk munguan as dy personalitetet e rëndësishëm të futbollit ballkanas, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, si dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.

Me rikthimin e punimeve në Asamble, pas 2 marsit ku u diskutuan dhe më tej u miratuan një sërë vendimesh, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së kishte marrë vendimin për t’u rikthyer në sallë për të zhvilluar zgjedhjet për President të FSHF-së dhe Anëtarë të KE-së ditën e sotme, më 15 mars.

Punimet për zgjedhjet e ditës së sotme i hapi zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuriu, e më tej fjalën e mori zv.Presidenti i UEFA-s, Zbignieë Boniek, i cili në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh i mahnitur nga zhvillimi i futbollit në Shqipëri, që nga stadiumi te selia e re si dhe theksoi se UEFA ndjek çdo ditë zhvillimin e FSHF-së. Boniek, si një nga ish-futbollistët më të mëdhenj të Polonisë, e tashmë zyrtar i lartë i UEFA-s bëri edhe një batutë lidhur me përballjen e kuqezinjve në 1985 ndaj Polonisë, ndërsa theksoi se ka ndjekur edhe rrugëtimin e Shqipërisë në Europian.

“Mirëdita të gjithëve,

Mirëdita President,

Mirëdita Anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, të gjithë miqve të futbollit shqiptar

Mbi të gjitha do të doja t’ju përcillja përshëndetjet e zotit Ceferin dhe të gjithë administratës së UEFA-s. Marrëdhëniet midis FSHF-së dhe UEFA-s janë shumë të mira dhe po shohim çdo ditë se si po rriteni si Federatë, se si zhvilloni role të rëndësishme me përfaqësuesin tuaj Armand Duka, i cili është pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Është hera e dytë në jetën time që jam në Shqipëri, për herë të parë kam qenë në 1985 si futbollist. Kam pasur mundësinë dhe kënaqësinë të luaj ndaj Kombëtares suaj dhe nëse dikush nuk e mban mend rezultatin mund të pyesë mikun tonë Bardhyl Jera i cili ka luajtur në atë ndeshje. Dua të them që jam i mahnitur. Në procesin e zhvillimit kam parë një stadium të mahnitshëm, një seli shumë të bukur! Komplimentet e mia! Dua t’ju them që kam bërë tifo për Kombëtaren tuaj, për shkak të miqësisë që kemi. Në Europianin e Francës keni bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe shpresoj që së bashku të përmirësojmë futbollin e vendit tuaj! Komplimente dhe ju uroj suksese të gjithëve sot”- u shpreh zv.Presidenti i UEFA-s, Zbignieë Boniek.

I pranishëm në këtë Asamble ishte edhe përfaqësuesi i FIFA-s, Nodar Akhalkatsi, i cili, në emër të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino u shpreh se bashkëpunimi me FSHF-në ka qenë mjaft i frytshëm, që nga stadiumi i ri, infrastruktura e arritjet e shkëlqyera të qeverisë së futbollit shqiptar, teksa garantoi se FIFA do të jetë gjithmonë krah FSHF-së. Në fund, Nodar Akhalkatsi i uroi suksese edhe Kombëtares, duke i uruar kualifikim në Kupën e Botës!

“Përshëndetje familja e futbollit shqiptar,

I dashur President Armand,

Ne u takuam para dy javësh dhe besoj se kësaj radhe do të mbaj një fjalim të shkurtër. Kemi diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi mes FIFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit dhe unë e konfirmoj këtë nga ana jonë gjithashtu. Dua t’ju shpreh mesazhet e Presidentit Gianni Infantino. Ne po bashkëpunojmë me Federatën Shqiptare në shumë aspekte. Së pari, me infrastrukturën, arritjet që keni bërë janë të shkëlqyeshme, sidomos me stadiumin, gjithashtu dhe me projekte të tjera infrastrukturore. Nga ana jonë dua t’ju them që duhet të vazhdojmë këtë bashkëpunim të frytshëm. Ju uroj shumë suksese, sidomos Zivi nënvizoi performancën historike të ekipit të futbollit shqiptar. Dua të uroj Kombëtaren, që të arrijë një sukses tjetër dhe të kualifikohet në Kupën e Botës! Vazhdoni me këto lloj zhvillimesh në futboll dhe kini besim te marrëdhënia jonë, te asistenca jonë dhe ju uroj shumë suksese dhe një mbledhje të shkëlqyer për të ardhmen e futbollit. Shumë faleminderit për këtë! – tha në fjalën e tij përfaqësuesi i FIFA-s, , Nodar Akhalkatsi.