Akademia e Arbitrimit prezantohet te Universiteti “Marin Barleti” - FSHF

Akademia e Arbitrimit prezantohet te Universiteti “Marin Barleti”

Vazhdon prezantimi i turit në Universitete, për projektin e Akademisë së Arbitrimit, një lëvizje ambicioze dhe që ka pasuar me një interes shumë të madh. Këtë radhë, dhe pikërisht sot nisma është përcjellë për studentët e Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Marin Barleti”, në kryeqytet. Të gjithë studentët u njohën në detaje në lidhje me projektin më të fundit të FSHF-së, teksa nga koordinatori kryesor i programit, Sokol Jareci morën informacionet respektive për atë që është menduar të bëhet dhe që do të marrë start në ditët e para të muajit tetor. Tashmë, Sektori i Arbitrimit ka gati projektin që ka mbështetjen e plotë të vetë Presidentit Armand Duka, i cili këtë iniciativë në javët e kaluara e ka përcjellë përpara studentëve të Elbasanit dhe Shkodrës. Aktualisht mbi 180 të rinj dhe të reja kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e kësaj shkolle arbitrimi e cila do të kalojë në disa etapa dhe do të ketë edhe trainime speciale, nëpërmjet lektorëve që do të vijnë nga jashtë nga UEFA dhe FIFA. Kurrikula e programeve tashmë është gati në një kohë promovimi do të vijojë. Javën e ardhshme nisma do të prezantohet në Vlorë përpara studentëve të Universitetit “Ismail Qemali”.