UEFA Nations League, Shqipëria barazon 0-0 me Lituaninë në transfertë - FSHF

UEFA Nations League, Shqipëria barazon 0-0 me Lituaninë në transfertë

Shqipëria barazoi sot 0-0 me Lituaninë në ndeshjen e katërt të grupit në Nations League që u zhvillua në transfertën e Vilnius.
Trajneri Edoardo Reja bëri pak ndryshime në krahasim me ndeshjen ndaj Kazakistanit, duke e nisur sfidën me këtë formacion: Berisha; Kumbulla, Gjimshiti, Dermaku; Lenjani, Abrashi, Bare, Laçi, Veseli; Broja, Seferi.

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen mirë, duke marrë gradualisht kontrollin e sfidës dhe duke krijuar raste për gol. Episodi kyç i pjesës së parë ishte ai i minutës së 24-t, kur gjuajtja e Seferit ndalet me dorë brenda zonës. Por gjyqtari francez nuk akordoi 11-metërsh, madje ndëshkoi me karton të verdhë Qazim Laçin për protesta. Në minutën e 38-të sërish moment i mirë për tanët, me Seferin që godet bukur një top në zonë, por portieri vendas Svedkauskas grushton me vështirësi.

Me nisjen e pjesës së dytë tekniku hedh në fushë Trashin në vend të Lenjanit, ndërsa kombëtarja vazhdon të luajë mirë dhe të krijojë raste. Në minutën e 58-të kuqezinjtë kryejnë edhe dy zëvendësime të tjera, teksa nga fusha dalin Broja e Kumbulla për t’i lënë vendin Vrionit dhe Mihajt. Pas 6 minutash vjen edhe zëvendësimi i radhës me Çekiçin që zë vendin e Laçit.

Në minutën 65-të një tjetër rast i shkëlqyer për Shqipërinë, me Seferin që arrin të dalë vetëm me portierin pas asistit të Veselit, por gjuajtja e sulmuesit bllokohet sërish nga portieri lituanez. Kuqezinjtë vazhdojnë të dominojnë ndeshjen, ndërsa në fushë për të rifreskuar sulmin hyn Manaj në vend të Seferit (minuta 78-të). Gjithsesi, fati nuk është me shqiptarët në këtë sfidë.

Në minutat shtesë vjen edhe një tjetër shans i artë për Kombëtaren, kur Trashi ndodhet në vendin e duhur pas një krosimi të Bares, por goditja e tij përfundon mbi traversë. Përfundon 0-0 me Shqipërinë që mbetet në vendin e dytë të grupit me 5 pikë pas katër ndeshjesh.

Statistikat e takimit flasin qartë për superioritetin e kombëtares në këtë takim me 14 goditje në kuadrat (nga të cilat 4 në kuadrat) krahasuar me 7 të Lituanisë dhe 62% zotërim të topit. Kuqezinjtë realizuan 430 pasime gjatë 90 minutave, ndërsa Lituania 277. Saktësia e pasimeve të skuadrës tonë ishte 70% krahasuar me 59% të lituanezëve. Edhe një herë e pafat kombëtarja jonë, që pavarësisht lojës së mirë nuk arriti të gjente dot golin.