TRAJNERI BOGDANI PARA MEDIAVE: KËTË VIT PRETENDOJMË KUALIFIKIMIN! - FSHF

TRAJNERI BOGDANI PARA MEDIAVE:
KËTË VIT PRETENDOJMË KUALIFIKIMIN!

Një ditë përpara miqësores së parë me Kazakistanin në Lushnje, trajneri i ekipit kombëtar U-19, Erion Bogdani së bashku me kapitenin e skuadrës Rezart Rama dolën përpara mediave për të folur në lidhje me përgatitjet e skuadrës.

Për teknikun e kësaj skuadre, tashmë këtë vit, kjo skuadër ka më shumë përvojë dhe në tetor do të luajë në eleminatore për ta kaluar grupin. Përpara sfidës së parë me Kazakistanin, të premten në orën 15.00 në “Roza Haxhiu” të Lushnjes, Bogdani theksoi: “ Jam shumë i kënaqur me këto ditë të stërvitjes në Durrës. Kemi punuar me volum të plotë gjatë këtyre ditëve. Këto takime na shërbejnë jo pak në drejtim të forcimit të skuadrës, e cila më duhet të them që këtë vit ka më shumë përvojë dhe ne pretendojmë fort për t’u kualifikuar në tetor, përballë rivalëve të fortë si Ukraina, apo Norvegjia. Lojtarët janë gati, kanë një vit më shumë përvojë dhe tashmë na duhet shumë punë. Natyrisht që duam fitore në këto miqësore, por kurrsesi, jo një fitore pa lojë. Gjithçka kemi punuar këto ditë në stërvitje duam ta reflektojmë në lojë. Në lidhje për lojtarët që shkojnë në ekipet e mësipërme kombëtare mendoj se në fund të fundit ky mbetet objektivi strategjik që të ketë sa më shumë prurje për U-21 dhe kombëtaren e madhe. Dhe rasti i futbollistit Rada që ka qenë me ne, më kënaq shumë”,- theksoi Bogdani.

Nga ana e tij, kapiteni Rezart Rama shtoi në lidhje me këto dy takime: “Kemi dhënë maksimumin në këto ditë stërvitje. S’ka rëndësi kush është lideri, rëndësi ka skuadra dhe grupi. Tashmë kemi përvojën që të punojmë dhe të japim më të mirën tonë në fushë. Po angazhohemi në mënyrë që në muajin tetor të jemi gati për të arritur objektivin tonë në eleminatoret zyrtare, kualifikimin”.

Kombëtarja U-19 vazhdon seancat stërvitore këtë të premte në “Tropical” në orën 12.00, në një kohë që takimin e parë miqësor me Kazakistanin e luan të shtunën në orën 15.00 në Lushnje. Hyrja për të gjithë është FALAS.