SKËNDERBEU FITON SUPERKUPËN E SHQIPËRISË PËR VITIN 2018! - FSHF

SKËNDERBEU FITON SUPERKUPËN E SHQIPËRISË PËR VITIN 2018!

Skënderbeu fiton trofeun e Superkupës së Shqipërisë në futboll në finalen e luajtur këtë të dielë në stadiumin “Selman Stërmasi”  në kryeqytet.  Pas një pjese të parë të përfunduar në barazim pa gola dhe ku u regjistruan shumë pak raste për shënim, pjesa e dytë dhuron pesë gola në të dyja portat respektive. Të parët ishin laçianët e Mergjyshit që kaluan në avantazh, në minutën e 49’, falë golit të Lushkjas, i cili përfitoi nga një gabim i mbrojtjes korçare. Por, reagimi i Skënderbeut erdhi menjëherë dhe në minutën e 55-të, ku mbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti shënoi në portën e Selmanit dhe riktheu ekuilibrat në fushë. Goli i avantazhit për korçarët erdhi në minutën e 68′, kur Gjergji Muzaka ekzekutoi saktë një 11-metërsh të akorduar nga arbitri Juxhin Xhaja, pas një faulli të Sefgjinajt në dëm të Bregut. Vetëm katër minuta më pas, vjen radha e vlonjatit që të shënojë golin e tretë për Skënderbeun, dhe 3:1. Por ka ende lojë, Laçi rihapi takimin edhe njëherë në minutën e 84-t, pas golit të shënuar nga Redon Xhixha, por vetëm kaq, sepse deri në fund nuk do të ketë më asnjë ndryshim rezultati. Sfida e luajtur në “Selman Stërmasi” i hap udhën sezonit të ri të Kategorisë Superiore, që do të nisë të premten në stadiumin “Skënderbeu”, me sfidën mes korçarëve dhe Partizanit me fillimin e kampionatit të  80-të në historinë e futbollit shqiptar.