SHOQATA E ARBITRAVE: DHUNA ABSURDE KARSHI ARBITRIT KËRKON PËRGJIGJEN E ASHPËR DISIPLINORE - FSHF

SHOQATA E ARBITRAVE: DHUNA ABSURDE KARSHI ARBITRIT KËRKON PËRGJIGJEN E ASHPËR DISIPLINORE

Shoqata e Arbitrave të Shqipërisë dënon sërish me shumë forcë, për fatin e keq, një tjetër agresion ndodhur karshi arbitrave, këtë radhë jo nga zyrtarë të klubeve, por në fushë nga një futbollist. Ngjarja krejtësisht antisportive e ndodhur të shtunën pasdite në përfundim të takimit Shkumbini-Veleçiku, ku arbitri i takimit Klajdi Kola është goditur dy herë nga një futbollist i Shkumbinit përbën një rast shumë të dënueshëm për të gjithë.

Agresioni i shëmtuar fizik karshi arbitrit të ndeshjes kërkon ndëshkimin maksimal kundrejt këtij veprimi absurd me një sjellje anormale, të një gjaknxehtësie ekstreme të futbollistit që zgjodhi rrugën e dhunës. Asgjë nuk përligj veprime të tilla antisportive karshi arbitrave, të cilët ndodhen në presione të ndryshme dhune verbale apo edhe fizike, sic edhe ndodhi së fundmi. Edhe ata janë, njerëz, familjarë dhe pjesë e Shoqërisë ku jetojmë.

Shoqata e Arbitrave fton organet disiplinore që të veprojnë me dorë të hekurt karshi veprimeve të tilla dhunuese, të cilat duhet të kenë gjithmonë një përgjigje shumë të ashpër disiplinore, me zero tolerancë.