PRESIDENTI DUKA URON KREUN E FIFA-s, z.INFANTINO PËR MBYLLJEN E SUKSESSHME TË BOTËRORIT! - FSHF

PRESIDENTI DUKA URON KREUN E FIFA-s, z.INFANTINO PËR MBYLLJEN E SUKSESSHME TË BOTËRORIT!

Një kompeticion magjik, me një organizim model dhe me spektaklin e garantuar. Kështu shkruan Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka në letrën e tij drejtuar kreut të FIFA-s, z.Gianni Infantino, për Kampionatin e 21-të Botërorit të futbollit. Ndër të tjera, president Duka thekson: “Të gjithë ne shijuam të dielën çastin magjik dhe jashtëzakonisht emocionues të ngjarjes më prestigjoze në arenën e futbollit, e cila kurorëzoi Francën si fituese të këtij turneu. Këto tridhjetë ditë të mbushura me emocione, pasion, e gëzim ishin dëshmia e përkryer se loja e futbollit mbetet frymëzimi më i madh që mbledh së bashku njerëzit nga e mbarë bota, pa dallim flamujsh e kombësish. Padyshim, Kupa e Botës, kjo ngjarje unike në çdo zhvillim të sajin, mblodhi rreth saj edhe emocionet e mbarë shqiptarëve dhe për këtë, më lejoni të shpreh një falenderim të sinqertë për FIFA-n si organizata që e mundësoi këtë spektakël. Ky eveniment në Rusi, jo vetëm që ishte një organizim i përkryer në nivelin e ofrimit dhe administrimit të spektaklit, por natyrisht edhe një reflektim i filozofisë Suaj, një rezultat i pamohueshëm i punës së palodhur, shpirtit të ekipit dhe vizionit largpamës, Tuajin në rradhë të parë, dhe padyshim e çdo anëtari që ka kontribuar në realizimin e këtij aktiviteti. Gjej rastin, që në emër edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit të falënderoj çdo pjesëtar të këtij aktiviteti, futbollistë, arbitra, stafe teknike, ata që kanë punuar pafund pas skenave, dhe veçanërisht dua t’ju përgëzoj Juve personalisht për mundësimin e këtij suksesi”,- përfundon z.Duka në letrën e tij për Presidentin e FIFA-s, z.Infantino në mbyllje të Botërorit në Rusi.