PRAG-UKRAINA/ TRAJNERI CHRISTIAN PANUCCI DHE KAPITENI BERISHA PËRPARA MEDIAVE PËR MIQËSOREN E SË DIELËS! - FSHF

PRAG-UKRAINA/ TRAJNERI CHRISTIAN PANUCCI DHE KAPITENI BERISHA PËRPARA MEDIAVE PËR MIQËSOREN E SË DIELËS!

Një ditë përpara takimit miqësor me Ukrainën, trajneri i ekipit kombëtar Christian Panucci së bashku me kapitenin Berisha dolën përpara mediave në Evian, në hotelin ku dhe është akomoduar skuadra. Pas miqësores me Kosovën, trajneri është shumë i bindur që skuadra do të reagojë menjëherë nesër: “Kemi folur me lojtarët dhe jemi përballur, ndaj besoj se jemi të gjithë koshientë që kemi bërë një ndeshje të shëmtuar ndaj Kosovës. Jam i bindur që nesër do të nxjerrim në pah krenarinë dhe dëshirën për të bërë mirë. Nuk ka ndeshje të vështira apo të thjeshta. Në futboll ndodh që të përjetosh një “Black Out” dhe këtë përjetuam edhe ne me Kosovën. Kam parë në sy lojtarët e mi dhe jam i bindur që me Kosovën nuk ishin ata që unë njoh. Të gjithë ishin të mërzitur për paraqitjen e ekipit dhe në të tilla raste, duhet ulur koka për të punuar dhe për të reaguar. Jam i sigurt që nesër do të bëjmë një ndeshje shumë serioze. Në futboll mund të fitosh dhe të humbasësh, por jam i bindur që nuk do të përsëritet ajo që ndodhi me Kosovën.
Diçka do të ndryshojmë në aspektin taktik. Nuk dua të përcjell justifikime, por këta janë lojtarët që kemi të grumbulluar”, – theksoi trajneri i ekipit kombëtar.
Nga ana e tij, për këto ditë grumbullimi pas ndeshjes me Kosovën, kapiteni Etrit Berisha theksoi: “Kombëtarja është diçka e shenjtë dhe të gjithë ne mundohemi të bëjmë detyrën tonë në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Duhet që edhe të rinjtë ta ndjejnë fanellën po njësoj, dhe më pas do të jemi edhe më mirë. Me Kosovën është bërë ajo që është bërë, por nesër do të jetë një test edhe më i rëndësishëm për ne. Në dy ndeshjet e fundit kemi pasur probleme si me lojë, ashtu edhe me rezultat, ndërsa nesër do të provojmë të tregojmë se kemi kualitet. Me Kosovën të gjithë ishim dakord që nuk ishim paraqitur mirë dhe me siguri që do të ndryshojmë këtë paraqitje, që në ndeshjen me Ukrainën”,- shtoi kapiteni i skuadrës Etrit Berisha. Skuadra zhvilloi më pas edhe stërvitjen në stadiumin ku nesër në orën 16.00 do të luhet takimi Shqipëri-Ukrainë.