PËRFUNDON KURSI NR.26 UEFA “B”, SEKRETARI I FSHF, ILIR SHULKU DORËZON DIPLOMAT! - FSHF

PËRFUNDON KURSI NR.26 UEFA “B”, SEKRETARI I FSHF, ILIR SHULKU DORËZON DIPLOMAT!

Ka përfunduar në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz, kursi i radhës për liçensimin e trajnerëve, i nivelit “UEFA B”. Të gjithë kursantët që ndoqën leksionet dhe praktikën gjatë këtyre javëve janë diplomuar duke marrë liçensën përkatëse.

Ky ishte raundi i 26-të që Sektori i Edukimit Teknik pranë FSHF-së realizoi për këtë nivel. Të gjithë pjesëmarrësit në “UEFA B” ndoqën 120 orë leksione, ku përfshiheshin lëndët: Mjekësia Sportive, Psikologjia Sportive, teknika e taktika, Karta Federata, si edhe 17 rregullat e Lojës. Në përfundim të kursit të sotëm, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, pasi falenderoi zyrën përkatëse në FSHF për mbarëvajtjen e këtij procesi, si edhe lektorët pjesëmarrës, theksoi:

“Jam shumë i kënaqur që jam sot në këtë mbyllje të këtij kursi që ju pajis me një liçensë për të trajnuar në futboll, por edhe për faktin se sot diplomohen edhe vajza, të cilat kanë ndjekur orët e kursit “UEFA B”. Edukimi Teknik vijon të mbetet një nga prioritetet tona maksimale, dhe në javët e muajt në vijim do të vijojmë me kurset e tjera, duke nisur menjëherë me raundin e radhës të kursit “UEFA Pro”, apo edhe të niveleve të tjera. Shpresoj dhe besoj që tashmë të vini në zbatim konkret gjithçka keni përfituar në këto javë mësimore e praktike, duke qenë vetë trajnerë të ardhshëm në nivelet e futbollit shqiptar, si dhe duke iu inkurajuar edhe më tej, në ndjekjen e kurseve të mësipërme si nivel, që planifikohen dhe janë në program zbatimi nga Federata”.

Në mbyllje u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së diplomave për kursin e 26-të “UEFA B”, në të cilin ishin pjesëmarrës edhe shumë vajza.