KOMITETI EKZEKUTIV SHPALL FITUESIN E TENDERIT PËR TË DREJTËN TELEVIZIVE TË KAMPIONATIT SHQIPTAR TË FUTBOLLIT! - FSHF

KOMITETI EKZEKUTIV SHPALL FITUESIN E TENDERIT PËR TË DREJTËN TELEVIZIVE TË KAMPIONATIT SHQIPTAR TË FUTBOLLIT!

Komiteti Ekzekutiv i FSHF pas një procesi të gjatë të analizimit dhe vendimarrjes mbi Garën për të drejtën Televizive të Kampionatit Shqiptar të Futbollit, shpall fituesin duke vlerësuar ofertën më të mirë, atë të kompanisë “DIGITALB”.
Federata Shqiptare e Futbollit, informon se sipas procedurave të parashikuara, Komisioni i ngritur për këtë proçes, përpiloi një dokument me informacionin e nevojshëm me qëllim, jo vetëm aspektin ekonomik të këtij kampionati, por edhe kontributin për të krijuar një produkt cilësor edhe nga ana e imazhit dhe e cilësisë së Kampionatit shqiptar. Sipas procedurës përkatëse, të gjitha njoftimet për subjektet e interesuara (emitentët tv) janë nisur në datën 12 prill me afatin 12 ditor për dorëzimin e ofertave.
Në FSHF erdhën dy oferta për marrjen e këtyre të drejtave, nëpërmjet postës zyrtare dhe asaj elektronike (e-mail). Komiteti Ekzekutiv, duke shqyrtuar raportin mbi detajet e këtij procesi dhe ofertat konkrete, vlerësoi si ofertën më të mirë atë të kompanisë Digitalb.
Kompania Digitalb është kompania lider në tregun mediatik “Pay per view” (me pagesë) e cila ka qenë partner i FSHF-së edhe në sezonin e kaluar dhe ka dhënë një kontribut të vlerësuar nga të gjithë aktorët e përfshirë në kampionatin shqiptar. Digitalb garanton se në sezonin e ardhshëm katërvjeçar, përveç pjesës financiare, do të vazhdojë të kontribuojë me transmetime ndër më cilësoret duke përfshirë teknologjinë HD, Slow Motion, emisione live të dedikuara, si dhe një pasqyrim 360° të futbollit më të lartë shqiptar.