KOMBËTARJA U-21/ TRAJNERI BUSHI: FITORJA, E VETMJA ALTERNATIVË QË KEMI! - FSHF

KOMBËTARJA U-21/ TRAJNERI BUSHI:
FITORJA, E VETMJA ALTERNATIVË QË KEMI!

Trajneri i Shpresave, Alban Bushi dhe kapiteni Keidi Bare dolën sot në një konferencë për shtyp në vigjilje të përballjes me Sllovakinë. Perballë është një kundërshtar i fortë, megjithatë ky fakt nuk i shqetëson kuqezinjtë. Trajneri Bushi u shpreh se shanset janë të barabarta, teksa theksoi se Shqipëria është e detyruar për të fituar: “Nëse luajmë me vëmendje të plotë nga minuta e parë te e fundit, atëherë ne e fitojmë këtë takim. Mund të them se është një takim i barabartë, me dy Kombëtaret që kanë shanse të barabarta për të fituar. Ndaj Sllovakisë nuk na lejohet asnjë rezultat tjetër përveç fitores, pasi në të kundërt nuk kualifikohemi”, tha ish-sulmuesi.
Edhe kapiteni Keidi Bare u shfaq entuziast në konferencën për shtyp, ndërsa theksoi se Kombëtarja do të kërkojë fitoren kundër Sllovakisë, teksa tha: “Si fillim duhet të fitojmë ndeshjen nesër, pastaj të mendojmë objektivat. Ne kemi si objektiv vendin e dytë. Por tani ne jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme për të marrë një fitore. Me ardhjen e Reit, ekipi është forcuar më shumë se e dini që është një lojtar goli dhe besoj se do të japë 100% për të fituar ndeshjen e nesërme”,- tha mesfushori.