KOMBËTARJA NË ZYRIH, GURI E NDOJI PËRPARA MEDIAVE NË VIGJILJE TË NDESHJES ME KOSOVËN - FSHF

KOMBËTARJA NË ZYRIH, GURI E NDOJI PËRPARA MEDIAVE NË VIGJILJE TË NDESHJES ME KOSOVËN

Skuadra kombëtare e futbollit ka nisur grumbullimin e saj në Zyrih për të përgatitur edhe takimin e parë miqësor me Kosovën që siç është programuar do të luhet në datë 29 maj, ora 20.00 në stadiumin e qytetit të Zyrihut. Sipas programit sot dolën përpara mediave, futbollistët Sindrit Guri dhe Emanuele Ndoji. Sulmuesi më në formë i kampionatit së bashku me Abazajn, që sezonin e ardhshëm do të luajë me skuadrën e Ostendes në Belgjikë, Sidrit Guri për këtë vlerësim dhe ardhje në kombëtare theksoi:

“Ishte një vit i mirë për mua pasi tregova vlerat e mia duke punuar shumë dhe them se e shfrytëzova më së miri momentin tim. Kombëtarja kam bindjen se do të ndikojë për shumë më mirë dhe duhet të japim të gjithë maksimumin këtu. Në lidhje me kampionatin dhe hyrjet në skuadrën përfaqësuese mendoj se kampionati shqiptar ka një rritje të dukshme, dhe kjo shihet edhe nga prezantimi në Europë i skuadrave si Skënderbeu apo Kukësi. Si unë, ashtu edhe Abazaj që u transferuam në Belgjikë mendoj se hodhëm hapat e duhur. Në lidhje me një aktivizim të mundshëm në kombëtare? E vendos vetëm trajneri. Unë jam sulmues dhe dua të luaj në sulm, por në fushë do të jap atë që më kërkon trajneri. Jam i gatshëm të punoj maksimalisht dhe të jap më të mirën time në këtë grumbullim për këto dy miqësore”,- theksoi Guri.

Ndërsa nga ana e tij Ndoji që aktivizohet me Breshian në Serinë B të Italisë, theksoi: “Të jem këtu me kombëtaren time, është një ëndërr, por nëse do të luaj apo jo, këtë e vendos vetëm trajneri Panucci. Ne kemi detyrë që të japim më të mirën tonë në fushë. Gjatë sezonit me Breshian kam zhvilluar shumë ndeshje, dhe jemi pak të ngarkuar fizikisht, por do të punojmë shumë këto ditë dhe do të japim maksimumin tonë”.

Skuadra përfaqësuese gjatë ditës së sotme ka në program vetëm një seancë stërvitore. Me grupin e lojtarëve nuk janë bashkuar ende futbollistët e ekipeve të Skënderbeut e Laçit, përkatësisht Lilaj, Gavazaj dhe portieri Selmani të cilët të djelën diskutojnë edhe finalen e Kupës së Shqipërisë. Ata do të jenë në dispozicion të skuadrës dhe trajnerit, ditën e hënë.