INFORMIM MBI GARËN PËR TË DREJTAT TV TË KATEGORISË SUPERIORE

Federata Shqiptare e Futbollit në bazë të procedurave dhe rregulloreve përkatëse, bën me dije situatën aktuale në lidhje me procesin e garës së hapur për të drejtën TV të ndeshjeve të kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore.
Fillimisht u procedua me ngritjen e komisionit përkatës, dhe në bazë të eksperiencës dhe të konsultimit me përvojat më të mira ndërkombëtare, u përpilua një dokument me informacionin e nevojshëm, si edhe pikat bashkëngjitur bazuar, jo vetëm në aspektin ekonomik, por të shoqëruara edhe me kërkesat për të krijuar një produkt ekselent edhe nga ana e imazhit dhe e cilësisë së Kampionatit shqiptar.
Sipas procedurës përkatëse, të gjitha njoftimet për subjektet e interesuara (emitentët tv) janë nisur në datën 12 prill. Ndërkohë që afati për dorëzimin e ofertave ishte 12 ditë.
Pas njoftimit përkatës, në FSHF, nëpërmjet rrugës me postë zyrtare dhe asaj elektronike (e-mail), erdhën dy oferta për marrjen e këtyre të drejtave.
Tashmë e në vazhdim, bazuar edhe në procedurë, komisioni do të paraqesë në KE situatën që ka buruar nga ky proces, së bashku me sugjerimin konkret për vendimmarrje nga Komiteti Ekzekutiv. Më pas vendimi i KE do t’u njoftohet palëve pjesëmarrëse, dhe më tej fituesi do të bëhet gjithashtu publik nga FSHF.