INAUGUROHET KOMPLEKSI SPORTIV NË BALLSH, NJË TJETËR INVESTIM I FSHF-së!

Një tjetër impiant i ri për futbollin shqiptar, një kompleks sportiv në Ballsh. FSHF vijon kështu të mbështesë financiarisht investime të tilla në drejtim të infrastrukturës së futbollit, duke qenë gjithmonë prezente me suportin e saj. Me prezencën e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, z.Agron Kapllanaj, Drejtorit të programit të zhvillimit të USAID, z. Dennis Wesner, zv.Presidentit të FSHF-së, z.Edvin Libohova si edhe anëtarit të KE-së, z.Enkelejd Alibeaj, sot në Ballsh u inaugurua ky kompleks sportiv. Investimi financiar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit shkon në vlerën e
85 mijë eurove dhe konsiston në shtrimin me bar artificial të fushës së futbollit në Ballsh. Gjithashtu për ngritjen e tij kanë dhënë kontributin e tyre edhe Bashkia Mallakastër së bashku me USAID.
Investimi përfshin shtrimin me bar artificial të një sipërfaqeje prej 5300 m2 fushë futbolli dhe një sipërfaqe shtesë prej 200 m2, dhe ka mbajtur në vëmendje gjatë punimeve për ngritjen e tij standartet e cilësisë së FIFA-s. Pjesë e mbështetjes së Federatës është edhe pajisja e këtij kompleksi sportiv me 3 porta futbolli dhe të gjithë aksesorëve përkatës për secilën. Vetë zv.Presidenti i FSHF, Libohova për këtë kompleks të ri, për faqen zyrtare të FSHF-së në web theksoi: “Tashmë një tjetër ambjent model dhe me standarte i shtohet futbollit shqiptar, në dispozicion të fëmijëve dhe të rinjve. Investimet e FSHF-së për fëmijët dhe për rritjen e masivitetit të futbollit nuk ndalen asnjëherë. Ato i shërbejnë komunitetit, për të krijuar kushte sa më të mira. FSHF do të vazhdojë të mbështesë investime të tilla, me projekte konkrete në ndihmë dhe zhvillim të futbollit, jo vetëm këtu në Ballsh, por edhe në zona të tjera. Infrastruktura sa më cilësore e futbollit është një nga prioritetet absolute tonat”,- theksoi zv.Presidenti Libohova.
Pas inaugurimit është zhvilluar edhe një lojë mes dy skuadrash të moshave në Ballsh. Ky investim do të pasojë të tjerë që FSHF do të ndërrmarrë gjithmonë në mbështetje të klubeve dhe qyteteve për sa më shumë cilësi dhe masivizim.