FUTBOLLI NË ZI, NDAHET NGA JETA SKËNDER HYKA - FSHF

FUTBOLLI NË ZI, NDAHET NGA JETA SKËNDER HYKA

Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, është ndarë nga jeta Skënder Hyka, ish futbollist i shquar i Tiranës, ish-shef i klubit FK Tirana, ish Sekretar i Përgjithshëm i FSHF dhe për 5 legjislatura i zgjedhuar anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, ka dërguar mesazh në lidhje me këtë lajm:
“Me hidhërim të thellë dhe me dhimbje njerëzore, ndaj me Ju, të nderuar miq të komunitetit të futbollit, lajmin e trishtë, se Skënder Hyka, një ish-lojtar i shquar, drejtues klubi dhe mik e dashamirës i madh i futbollit, është ndarë nga jeta, përgjithmonë. Në këtë çast të dhimbshëm për të gjithë ne, për familjen, miqtë dhe dashamirësit e shumtë, besoj dhe shpresoj, që kjo humbje e madhe të lërë mes nesh kujtimin më të mirë të të ndjerit. Kujtimin e një njeriu, që gjatë gjithë jetës së tij ju përkushtua futbollit, punoi dhe dha më të mirën për zhvillimin e tij. Kujtimin e një lojtari legjendë, të një drejtuesi të devotshëm dhe të një njeriu zemërgjerë dhe të ndershëm. Skënder Hyka, ishte një prej futbollistëve më të shquar të viteve 60-70, i cili ka spikatur me talentin dhe aftësinë e tij, duke u bërë i dashur për tifozët anë e mbanë Shqipërisë. Ai spikati edhe si drejtues i FSHF në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm apo për disa legjislatura radhazi atë të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv. Në çdo cast ai ka ndihmuar me përkushtimin dhe mendimet e tij, që futbolli të ecë përpara. Në emër të komunitetit të lojës tonë të mrekullueshme, të Federatës Shqiptare dhe të gjithë, miqve dhe dashamirësve të tij, gjej rastin që ti shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta, për humbjen e njeriut të dashur. Parajsa, qoftë vendi ku do të prehet. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”.
Këto kanë qenë fjalët e Presidentit të FSHF, Armand Duka pasi ka mësuar lajmin e trishtë.
FSHF do të organizojë ceremoninë e homazheve në kujtim të z.Skënder Hyka, ceremoni e cila do të zhvillohet nesër nga ora 11:00-12:00 pranë ambienteve të stadiumit “Selman Stermasi” Tiranë.