FSHF VJEN ME IMAZHIN E RI NË WEB DHE APLIKACION - FSHF

FSHF VJEN ME IMAZHIN E RI NË WEB DHE APLIKACION

Federata Shqiptare e Futbollit ka lançuar sot platformën e re dixhitale. Kjo platformë vjen si një hap përpara në drejtimin e një komunikimi më të mirë dhe më të plotë kundrejt tifozëve, sportdashësve dhe publikut në kuptimin më të gjërë.
Platforma e re, përveç përmirësimit nga ana teknike, ofron disa risi që do të mirëpriten nga përdoruesit e ndryshëm.

Së pari, ofrohet një design i rinovuar, në linjë me frymën e “brand”-it FSHF dhe në linjë me design-in kontemporan të mediave dixhitale.
Në këtë design të ri, imazhet luajnë një rol kryesor dhe çdo element tjetër vjen i lehtë dhe pa ngarkesa.

Së dyti, platforma e re web paraqitet 100% “responsive”, ose e përshtatshme me çdo pajisje qoftë kompjuter, celular, apo edhe tablet.

Së treti, janë rinovuar pjesët përbërëse të platformës online që përfshijnë edhe dyqanin, fanclub-in, apo edhe biletarinë online.

Një nga risitë më të rëndësishme që pak federata të tjera e kanë është edhe aplikacioni i FSHF-së, i cili përveç të gjithë pjesës informative vjen edhe me rezultatet e ndeshjeve LIVE. Ky aplikacion ofron opsione të ndryshme të shumta mbi veprimtarinë futbollistike që FSHF organizon dhe është një hap konkret drejt asaj që mediat cilësore dixhitale duhet të kenë si kriter bazë: të jenë sa më pranë tifozëve me çdo informacion të mundshëm.
Kështu, nëpërmjet këtyre drejtimeve të reja, mundësitë për të qënë gjithmonë në kontakt me futbollin shqiptar, gjithmonë të informuar dhe gjithmonë të ndërlidhur tashmë janë të plota. Nëse programon kategorinë, apo skuadren e zemrës, edhe kur mund të kesh harruar eventin, apo në pamundësi për ta ndjekur atë, një “push notification”, ose një njoftim aktiv do t’ju informojë tërësisht mbi fillimin dhe mbarimin e ndeshjes, rezultatit, apo edhe episodeve të rëndësishme si kartonat, penalltitë, apo golat e mundshëm.