FSHF: SISTEMI I LIÇENSIMIT KA QENË DHE MBETET VETËM ATRIBUT I FEDERATËS. VETË KLUBET I HEDHIN BILANCET E TYRE ÇDO VIT, ASKUSH TJETËR! - FSHF

FSHF: SISTEMI I LIÇENSIMIT KA QENË DHE MBETET VETËM ATRIBUT I FEDERATËS. VETË KLUBET I HEDHIN BILANCET E TYRE ÇDO VIT, ASKUSH TJETËR!

FSHF ndjen sërish nevojën për të sqaruar opinionin sportiv lidhur me lajmet e rreme, krejtësisht të pavërteta që vijojnë të publikohen së fundmi në median elektronike, apo edhe të shkruar (shqiptarja.com/report tv) të cilat në rastin më të mirë janë pa dije mbi sistemin e liçensimit, e në rastin më të keq, thjesht shpifje.

Në lidhje me sistemin e liçensimit:

Sistemi i liçensimit të klubeve u vendos nga UEFA 10 vite më parë me qellim standartizimin e nivelit të klubeve në Europë. Ky sistem u krijua si një set kriteresh që klubet duhet të përmbushin në mënyrë që të marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s dhe u zhvillua për t`u bërë pikë fokusuese e çdo federate në zhvillimin e planeve strategjike dhe përmirësimin e qeverisjes së klubeve, përmes aplikimit të pesë kritereve: Sportiv, Administrativ, Ligjor, Infrastrukuror dhe Financiar.

Pas një periudhe fillimtare skepticizmi, palët e interesuara, pra klubet dhe federatat, njohën benefitet e sistemit dhe e implementuan edhe në nivel kombëtar. Ashtu si edhe federatat e tjera, edhe FSHF vendosi këtë sistem duke hartuar rregulloren e liçensimit të klubeve dhe duke ngritur administratën e nevojshme për zbatimin e saj.

Liçensimi, është një proces me dy faza të ndryshme, një për kompeticionet europiane, dhe një për ato vendase. UEFA delegon të drejtën e liçensës federatave anëtare dhe kontrollon mënyrën e dhënies së tyre, përmes një komisioni dy dhomësh (dhoma e hetimit dhe ajo e gjykimit) i quajtur Club Financial Control Body (CFCB).

Klubet që synojnë pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s, duhet të plotësojnë kriterin administrativ, infrastrukturor, ligjor dhe sportiv brenda datës 28 Shkurt të çdo viti, dhe kriterin financiar brenda datës 31 Mars që përkon me mbylljen e vitit kalendarik ekonomik.

Të gjitha të dhënat e kriterit financiar, që përfshijnë bilancin, pagesat e lojtarëve, detyrimet ndaj organeve tatimore dhe palëve të treta, klubet i hedhin vetë online në portalin e UEFA-s, dhe ku federata ka vetëm rol mbikëqyrës dhe asnjë mundësi ndërhyrjeje.

Në lidhje me çështjen “Tirana”

Klubi anëtar i FSHF-së, KF Tirana aplikoi për liçensën UEFA në sezonin 2017-2018 brenda afateve të parashikuara në rregullore. Dhënia e liçensës, iu mohua me vendimin të Komisionit të Liçensimit. Brenda afateve të parashikuara në rregullore, klubi e apeloi vendimin dhe Komisioni i Liçensimit i Apelit i akordoi liçensën, duke i dhënë të drejtën për të marrë pjesë në garat europiane.
Pas raportimit të Menaxherit të liçensimit, Komiteti Ekzekutiv, me vendimin nr. 12, datë 03.07.2017 e ka shkarkuar Komisionin e Liçensimit të Apelit, duke e riformuluar përbërjen tij, si dhe duke njoftuar UEFA-n për ndryshimet.
Në vijim të këtij vendimi, me 15.09.2017, Dhoma e Hetimit të CFCB vendosi të çelë një çështje mbi liçensën e akorduar, duke i kërkuar klubit të Tiranës dhe FSHF shpjegimet përkatëse e duke vendosur në datë 05.02.2018, moslëvrimin e fondit përkatës për pjesëmarrjen në UEFA Europa League, për sezonin 2017-2018.
Ky proces u parapri nga vizita e Kreut të Liçensimit të Klubeve në UEFA në Tiranë, nga ku FSHF raportoi mbi planin e hapave që do të ndërmerren për të ardhmen. E ku përfshihen, ndërgjegjësimi i klubeve anëtare për përfitimet e sistemit të liçensimit, asistenca e klubeve për standartizimin e bilanceve financiare etj.
Këto artikuj të publikuar së fundmi në media përcjellin drejt publikut, një informacion totalisht inekzistent dhe të rremë, dhe krejtësisht të paverifikuar më parë. Pavërtetësia e informacionit që përmban këtë artikull dhe të tjerë si ky, qëndron pikërisht në faktin se UEFA nuk i ka hequr asnjë moment, asnjë autorizim për liçensimin FSHF-së dhe federata nuk humbet asnjë të ardhur nga ato që përfiton prej UEFA-s, dhe aq më pak nuk është hera e dytë që kjo gjë ndodh. Citimi i ish punonjësit të larguar nga puna me shkaqe të arësyeshme nuk ka kurrëfarë lidhje me ngjarjen në fjalë e aq më pak, të përbëjë penalitet.
Edhe në lidhje me keqinformimin për çështjen e klubit Tirana, FSHF sqaron se pikët klubit të Tiranës i janë zbritur vetëm për moszbatim të vendimit të trupës gjykuese të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, konform Nenit 63 të Kodit të Disiplinës e pa lidhje me FIFA-n. Keqinformimi është konstant, dhe mbi të gjitha në mosrespekt të plotë të verifikimit, dhe minimalisht përfshirjes së zërit zyrtar në lidhje me sistemin e liçensimit nga ana e FSHF-së për klubet shqiptare.