FSHF respekton ditëlindjen e djaloshit nga Shkodra - FSHF

FSHF respekton ditëlindjen e djaloshit nga Shkodra

Për Abraham Kuturelin, nga rrethinat e Shkodrës, nje djalosh i apasionuar pas futbollit, ka qenë një ditë krejtësisht e vecantë. Ditëlindja e tij nr.11 është festuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Për këtë është kujdesuar Federata Shqiptare e Futbollit. Një grup, i përbërë nga ish-kapiteni dhe ish-trajneri i kombëtares Sulejman Demollari dhe Tritan Kokona, kanë qenë në Shkodër, në qendrën ku Abrahami trajtohet prej disa vjetësh për shkak se vuan nga një sëmundje e rënde. Djaloshi kurajoz që lufton cdo ditë me sëmundjen, duke patur kujdesin e motrave gjermane të qendrës, është mjaft i apasionuar ndaj futbollit dhe tifoz i zjarrtë i kombëtares. Në emer të FSHF dhe ekipit kombëtar, Demollari i ka dhuruar bluzen e personalizuar të ekipit kombëtar me numër 11 (ditëlindja e tij) dhe një top futbolli.

Ndërkohë që Kokona i ka dhuruar një album të “Euro 2016”, me një dedikim të Presidentit të FSHF:

“Abraham!

Në përvjetorin e 11 të ditëlindjes, i’u dhuroj këtë album historik të kombëtares shqiptare të futbollit, në Europianin ” Francë 2016. Uroj që kjo dhuratë, të të shtojë dashurinë për lojen e futbollit dhe të të bëjë edhe më krenar për vendin tënd.
Gëzuar ditelindjen!

Me dashuri Armand Duka”.

Më pas u improvizuan disa lojëra me pjesemarrjen e djaloshit kurajoz, i cili falenderoi për këtë surprizë të këndshme. Ndërkohë përfaqësuesit e FSHF i premtuan atij, një takim me lojtarët e kombëtares, gjatë grumbullimit përpara ndeshjes me Norvegjinë.