FSHF MBLEDH AKADEMITË E FUTBOLLIT PËR NISJEN E PROÇESIT TË LIÇENSIMIT!

Çështja e liçensimit është trajtuar sot edhe për Akademitë e futbollit që shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Në ambjentet e FSHF-së u zhvillua këtë të hënë një takim me të gjithë drejtuesit e Akademive të cilët marrin pjesë në kompeticionet që zhvillon FSHF. Në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së I.Shulku, Shefit të Departamentit të garave L.Nurishmi si dhe Menaxherit të Licensimit të Klubeve E.Gjini, morën pjesë të gjitha Akademitë private që zhvillojnë aktivitetin e tyre në kampionatet e Ligës Superiore, të Kategorisë së Parë, si dhe në Ligat Amatore. Thelbi i takimit ishte fillimi i procesit të Licensimit, plotësimi i kushteve të Liçensimit nga ana e Akademive, si dhe plotësimi i të gjitha kritereve për të bërë të mundur liçensimin e tyre për në aktivitetet që do të zhvillojë FSHF për sezonin e ri 2018-2019.

Sekretari i përgjithshëm Shulku kërkoi një angazhim më intensiv nga ana e drejtuesve të Akademisë për plotësimin e kritereve, si një element shumë i domosdoshëm për pjesëmarrje në garë. Shulku garantoi të gjithë përfaqësuesit prezent në mbledhje se sektori përkatës do të asistojë Akademitë për çdo problem rreth të gjithë praktikës së liçensimit. Ecuria e plotësimit të liçensimit për Akademitë do të monitorohet hap pas hapi nga sektori përkatës çdo dy javë, në lidhje me pikat e lëna për t’u përmbushur. Data 31 maji është lënë si afati përfundimtar për plotësimin e këtyre kritereve për secilën prej Akademive. Drejtuesit e Akademive bashkëngjitur materialeve të tjera morën edhe katalogun e Kritereve që duhet të plotësojnë për këtë proçes.