Armand Duka

Armand Duka është Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai ka vendosur të kontribuojë në futbollin shqiptar, duke kandiduar si President i FSHF-së në vitin 2002 me disa objektiva të rëndësishme për të ardhmen.

Pavarësia e institucionit në drejtimin profesional te futbollit, përmirësimi i infrastrukturës, rritja e numrit të lojtarëve të regjistruar, shëndoshja e buxheteve financiare duke thithur investime dhe sponsorizime, një pjesëmarrje dinjitoze në organizmat ndërkombëtare kanë qënë disa nga sfidat e tij tanimë të realizuara.

Rritja dhe zhvillimi i skuadrave përfaqësuese në organizim dhe në rezultate teknike, dhe kualifikimi i Shqipërisë në fazën finale të një kompeticioni final ndërkombëtar, kanë qenë objektivat e tij fillestare, të cilat janë përmirësuar vit pas viti dhe kulminoi me arritjen e EURO 2016, i cili ka qënë dhe objektivi i parë i Presidentit Duka ne vitin 2002.

Në nivelin infrastrukturor, një tjetër objektiv i rëndësishëm ka qënë ndërtimi i një stadium të ri ndërkombëtar modern, dhe tashmë mund të admirojmë 2 stadiume të niveleve ndërkombëtare si “Elbasan Arena” dhe “Loro Borici” dhe në pritje të përfundimit të “Arena Kombëtare” në Tiranë.

Curriculum Vitae

Emër Armand
Mbiemër Duka
Kombësi Shqiptare
Shtetësia Shqiptare
Gjendja civile I martuar me dy fëmijë
Ditëlindje 07/10/1962
Gjuha amtare Shqip
Gjuhë të huaja Anglisht dhe Italisht
Profesioni Ekonomist

Arsimimi : 
1981-1986 Universiteti i Tiranes, Dega E Ekonomisë për Industri

Eksperienca:
1986-1990 Ekonomist në Parkun e Mallrave në Burrel
1990-1991 Ekonomist në parkun e mallrave të eksportit në Durrës
1991-1993 Vetëpunësim në biznes privat

Karriera në Biznes:
1993 – aktualisht
Sipërmarrës privat: krijon kompaninë AIBA sh.a, një ndër kompanitë më të njohura në vend për prodhim dhe tregti të produkteve blegtorale
GoTech elektronik:  distributor dhe Licensë Eksklusive i pajisjeve elektroshtëpiake
Ecomarcet food: distributor e rrjet tregtar ushqimor
Aksioner e drejtues në disa biznese të tjera në sektoret e prodhimit, telefonisë, media, etj

Eksperienca në FSHF:
2002      Zgjidhet President i Federatës Shqiptare të Futbollit
2006      Ri- Zgjidhet  President i Federatës Shqiptare të Futbollit
2010       Ri- Zgjidhet  President i Federatës Shqiptare të Futbollit
2014       Ri- Zgjidhet  President i Federatës Shqiptare të Futbollit
2018       Ri- Zgjidhet  President i Federatës Shqiptare të Futbollit

Eksperienca në UEFA:
2004 – 2006                Anëtar i Komitetit të Federatave
2006 – 2008                Zv/kryetar i Komitetit të Federatave Kombetare
2008 – 2013                 Zv/kryetar i Komitetit të Kompeticioneve të Ekipeve Kombëtare
2013 – 2016                  Zv/kryetar i Komitetit të Federatave Kombëtare
2016 – në vazhdim       Zv/Kryetar i Komitetit HatTrick (I vetmi komitet në UEFA që merr vendime pa Komitetin Ekzekutiv dhe me portofolin më të lartë në UEFA)

Eksperienca në FIFA
2008 – 2012 Anëtar i komitetit te Federatave
2012 – 2017 Anëtar i Komitetit Organizator të Kupës se Konfederatave

Tituj nderi:
1998: Bashkia e Shijakut i jep Titullin “Qytetar Nderi” për kontributin që ka dhënë, si president i klubit të qytetit.
2001: Bashkia e qytetit të Durresit dhe shoqata “Durrësi” i jep titullin “Nderi i Qytetit”, për kontribut dhënë në zhvillimin ekonomik të qytetit si dhe për vlerat e spikatura, profesionale dhe humane, në dobi të interesave të qytetit
2002: Bashkia e qytetit te Durrësit dhe Shoqata “Durrësi” i jep titullin ‘Simbol i Qytetit të Durrësit” për kontributin e rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të qytetit, në mbështetjen e aktiviteteve për promovimin e historisë dhe kulturës qytetare durrsake, për vlerat e spikatura intelektuale e humane.
2003: Bashkia e qytetit të Durrësit  e shoqata “Durrësi”, i jep titullin “Dyrrah – 3000”
2010: Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, e dekoron me titullin e lartë “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, për kontribut të shquar, në drejtimin dhe zhvillimin e futbollit shqiptar

Roli dhe Kompetencat e Presidentit te FSHF-se
Presidenti është përfaqësuesi ligjor i FSHF-së dhe figura përfaqësuese e institucionit të futbollit. Ai është shprehje e unitetit të institucionit dhe sigurisht është përcaktues në politikat e tij për zhvillimin e futbollit shqiptar.

Presidenti zgjidhet drejtëpërdrejt nga Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore, e cila mbahet një herë në katër vjet.

Për t’u zgjedhur President, kandidati ka nevojë për 2/3 e votave të vlefshme. Në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk arrin këtë shumicë, bëhet një raund i dytë zgjedhjesh midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë, kandidati që merr më shumë vota (50% +1) zgjidhet President.

Presidenti i  Federatës Shqiptare të Futbollit, është përcaktues si në politikat e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme të institucionit të futbollit. Ai është hartuesi kryesor i strategjisë që do të ndjekë Federata e Futbollit dhe ndjek në dinamikë, detyrat dhe objektivat e një programi të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme.

Detyrat e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit janë si më poshtë: Të mbledhë Asamblenë e Përgjithshme dhe Komitetin Ekzekutiv. Ai gjithashtu drejton Asamblenë e Përgjithshme dhe mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv. Presidenti i FSHF mbikqyr zbatimin e vendimeve të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme dhe Komiteti Ekzekutiv dhe siguron funksionimin e rregullt dhe efektiv të organeve dhe departamenteve te FSHF-së në mënyrë që të arrihen objektivat e përcaktuara.

Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm ose njëri nga zevendës presidentët dhe Sekretari i Përgjithshëm mund të firmosin së bashku në emër të FSHF-së përveç rasteve ku është vendosur ndryshe në rregulloret e brendshme organizative të Sekretariatit të Përgjithshëm të FSHF-së.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, mban lidhjet midis FSHF-së dhe anëtarëve të saj, konfederatave nderkombetare FIFA dhe UEFA, me organizmat politike dhe organizata të tjera. Ai mbikqyr funksionimin e Sekretariatit të Përgjithshëm.

Presidenti emëron trajnerët dhe stafet teknike të ekipeve kombëtare, pasi është konsultuar me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.
Në rastet kur Presidenti mungon, detyrat e tij plotësohen nga zevendës-Presidenti i parë. Në rast se edhe ky i fundit mungon, atëherë përgjegjësinë e merr zevendës-Presidenti i dytë. Në rastet kur Presidenti jep dorëheqjen gjatë mandatit të tij, Komiteti Ekzekutiv zgjedh një nga anëtarët e tij të kryejë funksionin e Presidentit të përkohshëm. Komiteti Ekzekutiv mund të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të jashtëzakonshme  për të zgjedhur një President të ri për kohën e mbetur nga mandati. Nëse Asambleja e Përgjithshme e radhës mbahet brenda gjashtë muajve atëhere nuk mblidhet Asambleja e Përgjithshme e jashtëzakonshme dhe zevendës-Presidenti i Parë merr funksionet e Presidentit.