ALIJI E RAMADANI PARA MEDIAVE: “PO PUNOJMË SHUMË, DUAM FITOREN” - FSHF

ALIJI E RAMADANI PARA MEDIAVE:
“PO PUNOJMË SHUMË, DUAM FITOREN”

Naser Aliji dhe Ylber Ramadani ishin futbollistët e ekipit kombëtar në programin e sotëm mediatik përpara gazetarëve, për të folur rreth përgatitjeve të skuadrës në vigjilje të ndeshjes miqësore me Norvegjinë. Aliji është pyetur më shumë nga media si një nga alternativat e mundshme për të luajtur në vendin e Agollit në krahun e majtë të mbrojtjes, teksa vetë futbollisti për këtë u përgjigj:

“E shoh si një mundësi shumë të mirë jo vetëm tani por edhe për vijimësinë në ekipin kombëtar të futbollit. Dua të falenderoj shumë trajnerin Panucci që në momentin tim më të vështirë kur isha pa skuadër ai vendosi të më grumbullojë. Unë e kuptoj që në të tilla raste nuk është normale të grumbullohet një lojtar pa skuadër, por ai më mbështeti, më dha dorën dhe më ndihmoi. Për këtë dua t’ia kthej në fushë me punë e përkushtim. Ndihem në formë, por për çdo gjë vendos trajneri. Kam një mundësi të tregoj veten si në ekipin kombëtar, ashtu edhe me ekipin tim në Itali, – theksoi vetë Aliji, i cili tashmë që prej janarit të këtij viti është pjesë e skuadrës së Serisë B në Itali, Virtus Entela.

Ndërkaq, nga ana e tij, Ramadani për këtë ndeshje dhe përgatitjet e saj citoi: “Falenderoj trajnerin Panucci që sërish më dha mundësinë të jem pjesë e skuadrës kombëtare të futbollit. Dhe këtë dua t’ia shpërblej në fushë. Konkurenca është në ekip, por ne na duhet të punojmë, Për gjithçka tjetër do vendosë vetëm trajneri. Skuadra është mirë dhe po përgatitet më së miri, ka harmoni dhe klimë. Nëse do jem në fushë do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje, si një objektiv shumë parësor që kemi”.

Skuadra përfaqësuese e futbollit do të vijojë seancat stërvitore ditën e sotme në orën 15.30, ku media do të ketë mundësinë të ndjekë të plotë këtë stërvitje.