Zyrat Rajonale të FSHF-së vijojnë seleksionimet në 8 zonat e Shqipërisë - FSHF

Zyrat Rajonale të FSHF-së vijojnë seleksionimet në 8 zonat e Shqipërisë

Zyrat Rajonale të Federatës Shqiptare po vijojnë intensivisht aktivitetin në 8 zonat rajonale në të gjithë vendin për seleksionimet e futbollistëve të vegjël për grupmoshat: U-13,U-14, U-15. Konkretisht, në secilën prej këtyre zonave janë tre skuadra futbolli të pajisura me të gjitha kushtet e nevojshme në staf, me trajnerët edhe mjekun që bëjnë përzgjedhjet e talenteve të reja.

Këto përzgjedhje janë duke u zhvilluar nga vetë trajnerët e ekipeve të zonave rajonale. Secila prej zonave ka një bord selektorësh, të cilët vëzhgojnë vazhdimisht ecurinë e këtyre lojtarëve të evidentuar. Seleksionimet do t’i shërbejnë krijimit të ekipeve rajonale dhe në 12 janar deri më 21 janar do të zhvillohet turneu i parë për të trija moshat të cilat do të zhvillohen në qytetin e Fierit dhe Kamzës.

Në vitin 2021 është parashikuar të zhvillohen dy turne, një në muajin janar dhe një në muajin qershor. Pas mbarimit të turneut të parë, skuadrat do të zhvillojnë seancat stërvitore çdo ditë të hëne sipas një programit teknik të unifikuar e të certifikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me stafet përkatëse. Gjithashtu, këto seanca stërvitore do të ndiqen dhe asistohen nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave.

Në lidhje me këtë proces të rëndësishëm për zbulimin e talenteve të reja të futbollit shqiptar, eksperti i futbollit pranë Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema u shpreh për FSHF se synimi është të shtohen prurjet e reja për ekipet zinxhir të kombëtares: “Në këtë periudhë po mundohemi të zgjedhim futbollistët e rinj më të mirë. Synimi ynë për ekipet kombëtare është duke u rritur cilësia e prurjeve, që të marrim rezultate akoma më pozitive në kompeticionet ndërkombëtare. Gjithashtu është edhe detyra e të gjithë trajnerëve ta ushtrojnë sa më mirë këtë grupmoshë, pasi ky seleksionim që do të vijojë edhe në javët e ardhshme në fillim të vitit 2021 do të nxjerrë në pah edhe elementët më cilësorë të kampionateve tona, U-13, U-14 dhe U-15.”