Stërvitje & ndeshje kontrolli, Bulku teston lojtarët e Kombëtares U-17 në seleksionim - FSHF

Stërvitje & ndeshje kontrolli, Bulku teston lojtarët e Kombëtares U-17 në seleksionim

Kombëtarja U-17 ka zhvilluar sot seleksionimin e radhës me një grup lojtarësh të vitlindjes 2006 dhe 2007. Trajneri Ervin Bulku dhe stafi i tij teknik kanë thirrur në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz rreth 65 lojtarë për t’u testuar dhe për të parë formën e tyre në vazhdimësi.

Seleksionimi nisi në ora 10:00 dhe fillimisht gjysma e grupit morën pjesë në një seancë stërvitore me intensitet të plotë me teste fizike e taktike, që zgjati për 90 minuta. Pas një pushimi të shkurtër rreth orës 12:30 trajneri i U-17, Bulku dhe trajneri i U-16, Agron Kërçova ndanë lojtarët në dy grupe për të zhvilluar dy ndeshje kontrolli. Më konkretisht lojtarët e vitlindjes 2006 sfiduan lojtarët e përzgjedhur të vitlindjes 2007.

Të dy teknikët patën mundësi të monitoronin nga afër lojtarët që janë tashmë në grupin e madh të Kombëtares U-17 e të cilët përbëjnë potencial për të qenë pjesë e përfaqësueses së moshave në vazhdimësi.

Si Bulku ashtu edhe Kërçova ishin të kënaqur nga impenjimi i futbollistëve të ftuar dhe prova e tyre e radhës në aspektin kualitativ. Kjo formë seleksionimi është një mundësi e mirë për trajnerët dhe lojtarët që të diskutojnë edhe për punën që duhet bërë me klubet e tyre dhe përmirësimet në të ardhmen.

Ky ishte seleksionimi i tretë këtë vit për ekipin Kombëtar, teksa objektivi i stafit teknik të Kombëtares U-17 është formësimi gradualisht i grupit të lojtarëve të cilët do të jenë pjesë e skuadrës që do të marrë pjesë në eliminatoret e Europianit U-17 në tetor të vitit 2022.

Në vazhdim do të ketë seleksionime të tjera, në një kohë që stafi teknik i ekipit Kombëtar U-17 ka qenë gjithë kohës në terren për të vëzhguar të gjithë elementët që janë në monitorim edhe në ndeshjet e kampionatit e të cilët paraqesin potencial në të ardhmen për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave. Sakaq, edhe skautët e FSHF-së jashtë vendit vazhdojnë të monitorojnë lojtarët e talentuar që aktivizohen me klube të huaja.