Dhoma e zgjidhjes se konflikteve , vendimi i dates 29.10.2011, Nr.1 - FSHF

Dhoma e zgjidhjes se konflikteve , vendimi i dates 29.10.2011, Nr.1

V E N D I M

I DHOMËS KOMBËTARE TË ZGJIDHJES SE KONFLIKTEVE

Trupi gjykues i Dhomes Kombetare te Zgjidhjes se Konflikteve (DHKZK), i përbërë nga:

Dashamir Kore          Kryetar

Elion Selmanaj          Anëtar

Aldona Sylaj              Anëtar

asistuar nga  asistenti i sekretarit te Pergjithshem te FSHF-se,  Denis Lilo, si sekretar gjyqesor, sot, me daten 29.10.2011, mori në shqyrtim çështjen qe u perket paleve:

PADITËS:                             Ivan Gvozdenovic, lindur ne Bor, Serbi dhe banues ne Korçe, i perfaqesuar nga Z. Elton Marini

I PADITUR:                         Klubi i Futbollit “Tirana”, perfaqesuar  nga Z. Refik Halili dhe nga avokat Riza Hicka.

OBJEKTI:                            Detyrimin e pales se paditur t’i paguaje paditesit shumen prej 13 400 (trembedhjete mije e katerqind) Euro.

BAZA LIGJORE:               Dispozitat e kontrates Nr.2263 Rep., Nr.1458/2 Kol., date 31.08.2010.

Trupi Gjykues i Dhomës Kombëtare  të Zgjidhjes se Konflikteve

pasi dëgjoi pretendimin e paditsit, Z. Ivan Gvozdenovic,  i cili kerkoi pranimin e padise, pretendimin e te paditurit, Klubi i futbollit “Tirana”, i cili kerkoi rrezimin e pjesshem te padise, mbasi administroi provat dhe e bisedoi cështjen në tërësi,

VËREN

Midis palëve ndërgjyqëse është nënshkruar kontrata  me  Nr.2263 Rep., Nr.1458/2 Kol., datë 31.08.2010 përpara noteres Eriketa Kokoli.

Ne kontraten e mesiperme jane parashikuar kushtet e kontrates, te drejtat dhe detyrimet e paleve (te lojtarit dhe te klubit), është parashikuar gjithashtu se pala e paditur, për sezonin futbollistik 2010-2011 do t’i paguajë lojtarit shumën totale prej 53 000 (pesëdhjetë e tre mijë) Euro si shpërblim për shërbimin e tij si lojtar pranë këtij Klubi, si dhe pagimi i një bonusi prej 5 000 (pesë mijë) Euro në rastin e fitimit të Kupës së Shqipërisë.

Paditës, gjatë gjykimit pretendoi se nga pala e paditur nuk i janë paguar 13 400 (trembëdhjetë mijë e katërqind) Euro, nga të cilat 8 400 (tetëmijë e katërqind)Euro është paga e papaguar si lojtar dhe shpërblimi prej 5000 (pesëmijë) Euro si bonus për fitimin e Kupës së Shqipërsië. Ai pohoi para gjykatës se nga shuma, që pala e paditur i detyrohej sipas kontratës përkatëse është shpërblyer për shumën 19 600 (nëntëmbëdhjetëmijë e gjashtëqind) Euro, e cila përfaqëson pagesat mujore prej 2800 (dymijë e tetëqind) Euro çdo muaj për shtatë muajt e parë të kontratës, si dhe pranoi se është paguar edhe për 25 000 (njëzetepesë mijë) Euro si shumë paradhënie e përcaktuar në kontratën e sipërcituar. Pra, përfundimisht pranoi se nga pala e paditur janë paguar 44 600 (dyzetekatërmijë e gjashtëqind) euro.

Klubi i futbollit “Tirana” pranoi para Trupit gjykues parashtroi këto pretendime:

1-  se, paditësit i janë paguar gjithsej 44 600 (dyzetekatër mijë e gjashtëqind) Euro;

2-    se, me dokumentin “Konfermë bankare”, datë 10.06.2011, i janë paguar 1 000 (njëmijë) Euro ;

3-    se, paditësit i është paguar shuma prej 4 000 (katërmijë) Euro dhe për të provuar këtë paraqiti si provë dokumentin e titulluar “Lista e lojtarëve për shpërblime të kupës se “Republikës”, dhe plotësim rrogash mujore të prapambetura”, i datës 11.06.2011;

4-    se, me shkrimin e vet, paditësi, ka pranuar se i është paguar edhe shuma prej 2 800 (dymijë e tetëqind) Euro, fakt ky qe provohet me shkrimin dhe nënshkrimin e tij të pasqyruara mbi dokumentin e lëshuara nga Intesa San Paolo Bank e datës 25.03.2012;

5-    se, nga shuma, që pretendon paditësi për tu paguar, duhet zbritur 10% si detyrim qe paditësi duhet të paguajë për shpërblimet e mësipërme.

Gjykata, duke bazuar në pohimet e palëve të bëra gjatë gjykimit, si dhe në provat e tjera të administruara në seancat gjyqësore, arriti në përfundimin se paditësi, përveç shumës prej 44 600 Euro, të cilat i janë paguar me mandatet përkatëse të cilat u administruan gjatë gjykimit dhe ndodhen në dosje, se i janë paguar edhe shumat prej 1 000 Euro dhe 4 000 Euro. Për shumën 1 000 Euro kjo pagesë u provua se është bërë me dokumentin e lëshuar nga Intesa San Paolo Bank, datë 10.06.2011 me të cilin konfirmohet se në numrin e llogarisë 87034038001 (numri i llogarisë së paditësit) i është derdhur nga pala e paditur shuma 1 000 Euro.

Për shumën 4 000 Euro, paditësi pretendoi, mbasi u njoh me dokumentin që paraqiti si provë pala e paditur, se ky dokument nuk pasqyron të vërtetën në pjesën parashikohet se atij i janë paguar 4 000 Euro. Gjykata, mbi kërkesën e palës së paditur, vendosi caktimin si ekspert për ekspertimin grafik të shkrimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti ekspertin Dritan Zoto, i cili paraqiti aktin e ekspertimin Nr.59, datë 28.10.2011. Me anë të këtij akti ekspertimi është arritur në përfundimin se në dokumentin objekt ekspertimi shkrimi i në këtë dokument nuk është i njëjtë me shkrimin e tij në modelet e paraqitura në emër të tij. Ndërsa, nënshkrimi në këtë dokument është i njëjtë i krahasuar me modelet e paraqitura nga paditësi para gjykatës. Në këtëo rrethana, Gjykata pranoi pretendimin e palës së paditur se shuma prej 4 000 Euro i është paguar prej saj paditësit.

Pretendimi i palës së paditur se paditësit i është paguar edhe shuma prej 2 800 Euro, me pretendimin se paditësi para gjykatës pranoi se shkrimi dhe nënshkrimi në dokumentin që ai paraqiti si provë (shënimet e bëra mbi dokumentin e lëshuar nga Intesa San Paolo Bank i datës 24.03.2011) janë të vetat nuk është i vërtetë dhe nuk duhet pranuar. Paditësi gjatë gjykimit pohoi se është e vërtetë që shkrimi dhe nënshkrimi në këtë dokument janë të vetat për shumën 2 800 Euro, por kjo pagesë nuk është pagesë tej atyre që ai ka marrë me mandatet e administruara gjatë gjykimit, por përkundrazi, ajo është shumë të cilën ai e ka marrë vetëm një herë, por që për këtë shumë mbasi janë bërë këto shënime në këtë shkresë të thjeshtë, pagesa është konfirmuar me mandatin e arkëtimit përkatës.

Gjykata, në lidhje me këtë fakt arriti në përfundimin se prapsimi i palës paditëse është i bazuar e duhet pranuar. Gjykata konstatoi se dokumenti i paraqitur si provë nga pala e paditur për pagesën e shumës prej 2 800 Euro nuk është një dokument i zakonshëm pagese dhe në të nuk ka datë të kryerjes së kësaj pagese dhe as nuk përcaktohet se cilit muaj i përket si pagë kjo pagesë. Shënimet e shkruara nga paditësi mbi një dokument tjetër, jo dokument pagese, të lëshuar nga Intesa San Paolo Bank, ka mbi të të stampuar prej kësaj të fundit datën 25.03.2011. Kjo nënkupton se kjo pagesë mund të jetë kryer si pagesë për pagën e papaguar të paditësit për periudhën nga fillimi i kontratës përkatëse deri më datën 25.03.2011. Gjykata, mbasi administroi të tetë mandat-pagesat me të cilat pala e paditur ka përmbushur detyrimet kontraktore ndaj paditësit, arrin në përfundimin se paditësit i janë paguar rregullisht nga pala e paditur pagat mujore si dhe shuma e paradhënies. Kjo nënkupton se më datën 25.03.2011, që bën fjalë dokumenti që paraqiti si provë pala paditëse, për të nuk ekzistonte asnje detyrim i prapambetur për t’ju paguar paditësit, pra provohet se kjo pagesë është pagesë e dubluar, praktikë kjo të cilën në parim e pranoi edhe përfaqësuesi i palës së paditur gjatë gjykimit të çështjes, pra për të njëjtën pagesë janë mbajtur fillimisht dokumenti shkresë e thjeshtë i cili nuk është një dokument ligjor dhe i rregullt pagese dhe mandej është prerë mandat-pagesa që ka konfirmuar përfundimisht kryerjen e kesaj pagese prej 2 800 Euro e cila është kryer me mandat-pagesën Nr.2736, datë 10.04.2011, e cila konfirmon se është pagesë e bërë për muajin mars.

Gjykata rrëzon si te pabazuar pretendimin e palës së paditur për të zbritur nga detyrimi i kërkuar prej paditësit 10% të shumës si detyrim që paditësi duhet t’i paguajë shtetit për shpërblimet e përfituara. Kjo çështje nuk mund të përbëjë objekt shqyrtimi për Gjykatën, mbasi përmbushja e detyrimit për të paguar ose jo shumën prej 10% të të ardhurave që ka përfituar paditësi, është një detyrim i cili i është ngarkuar atij shprehimisht nga kontrata e lidhur midis palëve. Në rast se ai nuk e paguan këtë shumë, ai është përgjegjës përpara ligjit për plotësimin e këtij detyrimi, por verifikimi i kryerjes ose jo të këtij detyrimi është e drejtë dhe përgjegjësi e organeve kopetente shtetërore dhe jo e kësaj gjykate.

Përfundimisht, duke u mbështetur në sa sipër, padia e paditësit duhet pranuar pjesërisht duke e rrëzuar atë për shumën prej 5 000 Euro.

P ë r   k ë t o   a r  s ye:

Trupi gjykues i DH.K.Z.K., i F.SH.F., bazuar në nenet 4, 29, 30 te Rregullores së Dhomës  Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve të F.SH.F, si dhe në dispozitat e kontratës Nr.2263 Rep., Nr.1458/2 Kol., datë 31.08.2010,

VENDOSI

1.    Pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit.

2.   Detyrimin e Klubit të futbollit “Tirana” t’i paguajë paditësit Z. Ivan Gvozdenovic shumën prej 8 400 (tetëmijë e katërqind) Euro si paga mujore të papaguara për sezonin futbollistik 2010-2011.

3.     Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të saj si të pabazuar në prova.

4.     Shpezimet gjyqesore ne masen 117 500 leke i ngarkohen palëve në këtë mënyrë:

4.1   100 000 Lekë i ngarkohen palës së paditur, Klubit të futbollit “Tirana”;

4.2     17 500 Lekë i ngarkohen palës paditëse, Z. Ivan Gvozdenovic.

5.   Kunder ketij vendimi  mund te behet ankim  ne organin e parashikuar ne nenin 34 te Rregullores se DH.K.Z.K. te F.SH.F., brenda 21 diteve  nga shpallja e ketij vendimi .

U shpall sot më datën 29.10.2011 në Tiranë.

    Anetar                          Kryetar                             Anetar

Aldona    Sylaj              Dashamir   Kore                  Elion  Selmanaj